Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin gjerman, Joern Rohde. Ajo ka uruar ambasadorin dhe popullin gjerman për 3 tetorin, Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.

Osmani ka thënë se 30 vjetori i bashkimit të të dy Gjermanive përbën frymëzim dhe model për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave demokratike.

“Teksa sot gjermanët kremtojnë, ndonëse me sheshe më pak të mbushura , shkaku i pandemisë, ne bashkohemi me ta për të festuar këtë 30 vjetor dhe për të rikonfirmuar përkushtimin për vazhdimësinë e miqësisë dhe lidhjes së fortë mes popullit të Kosovës dhe popullit të Gjermanisë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, tre dekada më parë, Gjermania ishte prijetare në zhvillimin politik e ekonomik sepse gjermanët treguan guximin dhe vendosmërinë për të përqafuar vlerat më sublime të demokracisë.

Një telegram me rastin e Ditës së Bashkimit të të dy Gjermanive, Osmani ia ka drejtuar edhe Kryetarit të Bundestagut, Wolfgang Schäuble.

Më 3 tetor të vitit 1990, Gjermania zyrtarisht u bashkua, me synimin që dy pjesët e vendit të jenë të zhvilluara në të njëjtën masë në një të ardhme të afërt. Gjermania vuajti ndarjen e saj në dy pjesë, njëra pjesë u kontrollua nga aleanca perëndimore e udhëhequr nga SHBA-të dhe pjesa lindore e Gjermanisë u pushtua nga trupat ruse./21Media