Në Bibliotekën Kombëtare mbahet ekspozita e Anton Çettës

Pas përurimit të shtatores së profesor Anton Çettës, sot u mbajt ekspozita personale e misionarit legjendar të pajtimeve të gjaqeve në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se ka kënaqësinë që për këtë ditë të rëndësishme ndodhet në Prishtinë për përurimin e shtatores së profesorit Anton Çettës.
“Ishte një kënaqësi e veçantë që për 28 nëntor, Dita e Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë të jem në Prishtinë, dhe t’iu uroj të gjithë qytetarët të Prishtinës, Kosovës dhe shqiptarëve kudo ku që janë… Është kënaqësi që të merrja pjesë në ceremoni për ta inauguruar shtatoren e profesorit tonë Anton Çetta, këtij misionari legjendar të pajtimit të gjaqeve, të pajtimit brenda kombëtar dhe të bashkimit, jo vetëm për të shpëtuar jetë, por njëkohësisht për të bashkuar të gjitha forcat për lirinë dhe për ato çështje të mëdha që ndeshen shqiptarët e Kosovës të viteve 90-ta. Ky kontribut i jashtëzakonshëm i tij mbetet aktual sot e kësaj dite, dhe mesazhi për të dal kushdo përtej gjithçka, e cila cenon në interes të përbashkët për të gjetur forcat për pajtim, falje dhe për bashkim dhe aq më pak që ky mesazh jep edhe një herë në ditën e flamurit kombëtar është më i fortë dhe e bën këtë figurë edhe më të pranishme”, u shpreh ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se profesor Çetta ka ndihmuar shumë kombin tonë në pajtimin e gjaqeve, bashkimin dhe çlirimin e kombit shqiptar.
“Kemi organizuar një ekspozitë të jetës të profesorit Anton Çettës. Ka qenë një projekt që ka filluar para shumë vitesh, mirëpo po më vjen mirë tashmë që e kemi finalizuar me një pritje të mrekullueshme… Anton Çetta ndihmoi kombin tonë me pajtimin e gjaqeve. Ai njihet si një njeri i madh që shpëtoi kombin shqiptar nëpërmjet pajtimit të gjaqeve në të gjitha e territoreve të Kosovës e më gjerë. Kjo është një ndjenjë, një dashuri e madhe që shkon përtej kufijve për të bërë për kombin që të bashkohet dhe çlirohet. Kjo është më e mira që ka ndodhur si rezultat i pajtimit të gjaqeve”, theksoi ai.
Gjithashtu vajza e profesorit të ndjerë, Donika Çetta tha se babi i saj ka qenë në zemrat e të gjithë shqiptarëve dhe figura e tij do të mbetet trashëgimi kulturore.
“Babai ka qenë në mendje dhe në shpirtin e gjithë popullatës. Tanimë figura e tij iu jetësua në shtatore. Kjo do të mbetet trashëgimi kulturore që do t’ia lëmë pas. Do të jetë memorien kolektive të gjithë qytetarëve të Kosovës për të cilët bëri aq shumë… Normal që nganjëherë emocionet nuk mund t’i kesh në fjalë. Ndihem shumë krenare që është bërë përurimi në këtë ditë feste që është e gjithë popullit shqiptar. Tërë jetën e tij ka luftuar që kombi shqiptar të jetojë në liri dhe pavarësi i bashkuar. Në këtë ditë është bërë përurimi i shtatores dhe ne familja nuk kishim mundur të gjejmë ditë më të mirë për festimin e kësaj feste”, tha Donika Çetta.
Profesori dhe njëkohësisht mik i profesorit, Behram Hoti tha Anton Çetta ka qenë një punëtor i madh madje e cilëson si një bletë punëtore.
“Një ndër njerëzit që studentët e tij në shumë gjenerata, profesori Anton Çetta ka qenë një bletë që ka thithur nektarin e luleve për ta bërë mjaltin për t’i bërë pajtimet. Kjo fotografi është bërë në Drenicë. Jam autor i katër librave dhe jam autori i parë i librit për profesorin Anton Çetta”, tha ai.
Ndërsa kushëriri i profesorit, Pal Canaj pas festës, përurimin e shtatores e konsideron ngjarje të rëndësishme, gjithashtu ai tha se profesori Anton Çetta ka bërë punë të madhe për popullin shqiptar.
“Në kuadër të kësaj feste, vazhdimisht shqiptarët i respektojnë burrat dhe figurat e mëdhenjtë të kombit. Njëri ndër ta është edhe profesori Anton Çetta, ku sot u zbulua shtatorja e tij në Prishtinë. Kjo është një ngjarje e madhe e rëndësishme dhe është një respekt ndaj figurës së profesorit Anton Çettës…Me profesorin Anton Çetta jemi kushërinjtë dhe kam pasur rastin që të rrija me të vijë në shtëpinë time dhe të shkoj në shtëpinë e tij. Kështu që kjo është një ndjesi e jashtëzakonshme dhe është një kënaqësi që është shënuar kjo festë e 28 nëntorit me zbulimin e shtatores së profesorit Anton Çettës… Profesori Anton Çetta ka bërë punë shumë të mëdha dhe kemi nevojë me zbuluar ende gjëra të tjera, fotografi të dhënat të tjera të veprimtarisë së tij… Gjeneratat e reja të njoftohen me punën dhe veprën e këtij filozofi të madh të pajtimit të gjaqeve”, përfundoi ai./kp

Back to top button