Nënave afgane do t’i shkruhet emri në kartat e identitetit të fëmijëve të tyre, pas një fushate për të sfiduar tabutë rreth emrave të grave.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani nënshkroi të enjten ligjin për një ndryshim të kërkuar prej kohësh nga aktivistët e të drejtave të grave.

Deri tani, ligji afgan lejonte që vetëm emri i babait të shënohej në kartat e identitetit.

Përdorimi i emrit të një gruaje në publik në Afganistan ka qenë e ndaluar dhe është konsideruar si diçka e “turpshme”, transmeton rtv21.tv.

Disa gra kanë pësuar rrahje për mosrespektime të tilla si përdorimi i emrave të tyre për të marrë receta.

Por një fushatë e nisur tre vjet më parë me hashtag #WhereIsMyName mblodhi mbështetje të profilit të lartë nga të famshëm dhe anëtarët e parlamentit.

U bë thirrje që emrat e nënave të përfshiheshin së bashku me emrat e baballarëve në kartat e identitetit kombëtar dhe përfitoi nga gati dy dekada përparimi mbi të drejtat e grave në Afganistan që nga përmbysja e Talibanëve në 2001.

Bisedimet midis talibanëve dhe qeverisë afgane filluan në 12 shtator në Katar, pasi asambleja e Madhe Afgane, nën presionin e SHBA-së, ra dakord për lirimin e 400 të burgosurve “të rrezikshëm” talibanë – një kusht që militantët të bashkohen në negociatat e paqes.

Tani, shumë gra kanë frikë se liritë e fituara në 20 vitet që nga rënia e Talibanëve do të sakrifikohen në bisedime. Vetëm tre gra janë në ekipin negociues me 21 anëtarë.

Në një letër të hapur nga 10 shtatori, gratë afgane u bënë thirrje liderëve botërorë të garantojnë ruajtjen e barazisë, demokracisë dhe përfshirjes dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e brezave të ardhshëm nga kërcënimi i ekstremizmit. Duket se Presidenti Ghani sapo e ka bërë atë./21Media