Në fund të vitit funksionalizohet Fondi për Sigurime Shëndetësore

Ismaili viziton institucionin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismalili ka deklaruar se fundi i këtij viti Kosovën do ta gjejë me funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Ai po ashtu është zotuar në gjashtë mujorin e dytë të këtij viti do të fillojë dhe kompensimi i barnave jashtëspitalore.

“Vitin e kaluar kam thënë se 2019-ta do të jetë viti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në vizitën që pata sot në këtë institucion, unë i sigurova edhe një herë për mbështetjen time të plotë në punën e tyre. Së bashku me drejtorin e Fondit, Fatmir Plakiqin, këtë vit do të orientojmë të gjitha kapacitetet tona që fundi i vitit të na gjejë me funksionalizimin e plotë të Fondit. Nga gjysma e dytë e këtij viti, për herë të parë në Kosovë, do të fillojmë edhe me kompensimin e barnave jashtëspitalore, si hapin e parë konkret drejt qëllimit final: sigurimet shëndetësore. #BashkëeNdreqim”, ka shkruar Uran Ismaili.

Në anën tjetër në Shoqatën për të drejtat e Pacientëve janë shprehur skeptik se sigurimet shëndetësore do të fillojnë në vitin 2019. Kjo pasi që sipas përfaqësuesve të kësaj shoqate, sigurimet shëndetësore nuk janë prioritet i kësaj qeverie!

Ndryshe, Fatmir Plakiqi, është emëruar në postin e drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore më 21 dhjetor të vitit 2017./21Media

Back to top button