"Tani është koha e reflektimit të madh"

“Tani është koha e reflektimit të madh”

Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, nën drejtimin e Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit është mbajtur ceremonia e Meshës Solemne të Pashkëve.

Për dallim nga vitet e kaluara këtë vit për shkak të pandemisë Covid-19 Pashkët u festuan pa praninë e besimtarëve në Katedrale.

Ceremonia e vigjiljes së pashkëve në Prishtinë filloi me bekimin e zjarrit prej të cilit pastaj u ndez qiriu i madh i pashkëve.

Gjatë meshës, në urimin e tij, imzot Gjergji rikujtoi se “pashkët janë një festë e veçantë në botën e krishterë, ditë e ringjalljes së Krishtit, ditë e ringjalljes së shpresës, ditë e ringjalljes së jetës, ditë e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, ditë e përjetësisë”.

Ndërsa fokusi i ligjërimit të tij ishte te situata e krijuar pas përhapjes së koronavirusit.

Ai u rikujtoi besimtarëve se edhe i ringjalluri kishte sprova të këtilla, andaj kërkoi durim, besim dhe sakrificë për të kaluar këtë gjendje izolimi.

Ndërsa tha se duhet falënderuar Zotin që në këtë kohë vendi ynë ka mjekë dhe infermierë që po përkujdesen për shëndetin e të sëmurëve. “Të mos zhgënjemi për ditët e vështira të gjendjes së sotme pasi që përgjigja e të ringjallurit do të ishte e kuptoj agonin tuaj pasi edhe vet e kam provuar. Por ku është durimi, entuziazmi, gëzimi, paqja dhe dashuria që e kam vërë në ju. Andaj le ta falënderojmë Zotin që kemi një familje ku gjejmë ngrohtësinë e zemrës që kmei shtëpitë tona ku mund të strehohemi. Që kemi përkujdesje shëndetësore, që kemi mjekë e infermierë heronj që përditë përballen me virusin COVID-19 për të na mbrojtur neve, e për t’i shëruar të sëmurit. Që nuk na m ungon buka e përditshme, pasi edhe atyre që në të vërtetë iu mungon ne e gjithë shoqëria po përpiqet të iu sigurojë atë”, tha ai.

Imzot Dodë Gjergji rikujtoi se populli ynë ka kaluar kohë edhe më të vështira, duke përmendur luftën e vitit 1999. Ai tha se edhe në atë kohë populli ynë humbi gjithçka, por që me sakrificë dhe punë i arriti gjërat e humbura. “Të mos kemi frikë që tani të gjitha punët do të shkojnë keq. Pasi që i ringjalluri mund të përgjigjet, e kuptoj frikën tuaj pasi që edhe apostujt i gjeta të frikësuar por detyrohesha të ju them mos keni frikë se unë jam. Por ku është besimi juaj, ku është shpresa juaj. Nuk duhemi të frikohemi që do të mbetemi gjithmonë të izoluar brenda shtëpisë, që do të na rrënohet karriera, që do të falimentojë firma, që do të varfërohet familja, që do të na bie numri i fansave, ose që nuk do të kemi shkollimin e duhur. Sidomos nuk na takon neve në Kosovë që të frikohemi. Pasi që ne para 21 viteve e kemi përjetuar njëherë të humbim gjithçka. Dhe jemi dëshmitarë që me entuziazëm, dashuri dhe me sakrificë, gjërat mund të arrihen përsëri”, tha ai.

Në fund të ligjërimit të tij, Gjergji bëri thirrje për bashkim dhe unitetit, teksa tha se tani më është koha e reflektimit të madh. “Ne e dimë që kur shpresonim në të ardhmen gjenim forcë për t’u bashkuar edhe për t’i bërë bashkë ma ekstremen e vetës sonë. Ne e dimë po ashtu që kur nuk mendonim në mënyrë egoiste, kur punonim për të mirën e përbashkët dhe kur të gjithë së bashku sakrifikonim për të drejtat dhe liritë tona të tjerët na besonin, na ndihmonin dhe na jepnin dorën. Tani është koha e reflektimit të madh që edhe njëherë t’i kthehemi pajtimit, unitetit, të mirës së përbashkët dhe miqve”, tha ai.

Pashkët, janë kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik i Kishës Katolike dhe i kishave të tjera të krishtera të cila kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Sipas traditës, besimtarët katolikë ndezin qirinjtë e lutjeve, të shtunën e shenjtë të Pashkëve, në qytetin e vjetër të Jeruzalemit, në Kishën e Varrit të Shenjtë.