Në këto komuna sot nuk është zhvilluar mësimi

Të gjitha orët e humbura do zëvendësohen

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka njoftuar se pas motit të ligë sot në disa komuna nuk është mbajtur mësimi.

Siç njofton MASHT në Prishtinë punojnë të gjitha shkollat, përveç shkollave “Mitrush Kuteli” dhe “Tefik Çanga”. Në Lipjan nuk punohet sot vetëm në shkollat “Ibrahim Krasniqi”– Smallushë dhe “Rexhep Aklapi” – Akllap, ndërsa në Mitrovicë nuk punohet në katër shkolla. Në Shtime (Pjetërshticë), shkolla “Idriz Ajeti” punon me orar të shkurtuar, sikur edhe në Ferizaj ku shkollat po punojnë me vështirësi dhe disa prej tyre me orar të shkurtuar.

Po ashtu, në Prizren, mësimi po zhvillohet me vështirësi në zonat e thella malore, si Nëpërgosht, Manastericë dhe Llukficë. Ndërsa, në Pejë janë pesë shkolla ku nuk po zhvillohet mësimi.

Në Komunën e Vitisë mësimi nuk ka filluar në ndërrimin e parë në shkollat ”Mirali Sejdiu” në Gërmovë dhe ”Hysen Tërpeza” në Tërpezë, për shkak të ndërprerjes së rrymës, por pritet të mbahet mësimi në ndërrimin e dytë.

Të gjitha shkollat, të cilat e kanë ndërprerë mësimin për shkak të kushteve atmosferike, do t’i zëvendësojnë orët e humbura. /21Media 

Back to top button