Të gjithë personat që dëshirojnë të hyjnë në Kroaci tani e tutje duhet të kenë konfirmim se janë testuar për koronavirus.

Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive “Dr Fran Mihaljeviq”, Alemka Markotiq tha se testi nuk duhet të jetë më i vjetër se 24 orë.

“Ata që duan të hyjnë në Kroaci do të duhet të bëjnë një test në vendin e tyre, i cili nuk duhet të jetë më i vjetër se 24 orë. Vetëm me këtë certifikatë do të jenë në gjendje të hyjnë në vend. Ky është sigurim. Testi është shumë i besueshëm, por nuk është 100 për qind i sigurt kështu që duhet të kemi kujdes ”, tha Markotiq për televizionin HRT.

E njëjta gjë u konfirmua nga drejtori i Institutit Kroat për Shëndetin Publik, Krunoslav Capak në paraqitjen e tij të ftuar në TV Dnevnik Nova.

“Tani të gjithë do të duhet të kenë një konfirmim që e kanë kaluar testin e virusit dhe vetëm përmes një konfirmimi të tillë do të mund të hyjnë në Kroaci “, tha Capak .

Ministri i Shëndetësisë, Vili Beros tha më herët se njerëzit që hynë në Kroaci gjatë fundjavës së kaluar, krijuan kontakte dhe kështu ‘kontribuuan’ në përhapjen e infeksionit.