Në Mitrovicë do të hapen 1000 vende pune

 

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka pritur në takim përfaqësuesin e operatorit ekonomik “Art Mall Sh.P.K”, Besart Baruti, me të cilin ka nënshkruar kontratë për dhënien e pronës së paluajtshme të komunës për shfrytëzim afatgjatë. Në këtë pronë do të ndërtohet një qendër tregtare ku do të punësohen mbi një mijë punëtorë.

“Kjo Qendër Tregtare në bazë të kontratës investimin total do ta arrij në vlerën mbi 12 milionë euro, ndërsa me funksionalizimin e kësaj qendre do të punësohen rreth 1025 punëtorë, ku prej tyre 25 në administratë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Agim Bahtiri tha se me realizimin e këtij projekti madhor Mitrovica do të bëhet qyteti më atraktiv, ku tanimë jo vetëm qytetarët tanë por edhe të rajonit do të kenë mundësi që të furnizohen me brendet më të njohura evropiane.

“Padyshim që ky projekt dhe projektet tjera që janë duke u realizuar buzë Ibrit do t’a shndërrojnë Mitrovicën në një nga destinacionet më atraktive të vendit, ndërsa që hapësira përgjatë Ibrit do të jetë hapësira më e rregulluar në Ballkan”, tha Bahtiri.

Gjithashtu kryetari Bahtiri potencoi se lehtësirat të cilat i ka krijuar komuna për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone, po mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës, duke përmbushur premtimin e tij të dhënë në zvogëlimin e papunësisë dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të qytetit./21Media

Back to top button