Poezi nga Rudyard Kipling

Në mundesh të ruash arsyen,
Kur bota e humbet fillin,
E fajin ta hedhin, e vetes t’i besosh,
Sa here për ty dyshojnë, e s’të përfillin
Por dhe dyshimet drejtë t’i gjykosh.

Në mundesh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
E kur të urrejnë, urrejtje të mos ushqesh,
Madje ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
Me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundesh të mendosh, por jo gjer në shkatërrim,
Të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
E të trajtosh njëlloj e pa dallim,
Ngadhnjim e shpartallim, burim mashtrimesh.

Në durofsh dot që thëniet e tua të drejta,
Në kurthe për trutharet, kopuket do t’i kthejnë,
Të thyejnë gjërat më të shtrenjta, e prapë t’i ndërtosh,
Me vegla pune që nuk vlejnë!

Në mundesh, fitoret qe korrur, t’i flijosh,
Si në kumar, në një të vetme lojë,
Të rrezikosh, të humbesh, e prapë te fillosh,
Dhe humbjet kurrë të mos i zesh me gojë!

Në i detyrofsh dot muskul, nerv, dhe puls e zemër,
Të të shërbejne edhe kur gjithçka të duket e kotë,
E të qëndrosh, kur s’ka asgjë veç vullnetit,
Që veç një fjalë, ‘qëndro’ gjithnjë të thotë.

Në mundesh të flasësh me maskarenjtë,
Por nderin tënd ta ruash,
E të ecesh përkrah mbretit pa krenarinë që të verbon,
Nëse armiku ose miku s’të bëjne dot të vuash,
Dhe gjithçka në e çmon, përveç sa e meriton.

Në mundesh të mbushësh ti minutat,
Aq të rënda, me vepra që peshojnë,
Dije, dhe mos ki asnjë dyshim,
E jotja do jetë bota me ç’ka brenda,
Dhe burrë do jesh, o biri im….