Poezi nga Rudyard Kipling
Përktheu: Fan S. Noli

Në mundsh të mbash në kokë terezinë
kur shokët çmendër dhe fajtor të nxijnë,
në mundsh të kesh besim, kur të dyshon
kushdo, dhe s’ka njeri që të beson.

Në mundsh të preç, dhe pritjen s’e kursen
në të gënjefshin, ti nuk i gënjen
në të urrefshin, ti s’i çan me brirë
dhe s’hiqesh as m’i mënçim as m’i mirë.

Në mundsh të çndërrosh e të mejtosh
dhe nga këto në mos u robërofsh,
në mundsh të preç triumfin dhe hatanë
dhe t’i shkelmosh të dy si kallpazanë.

Në mundsh të mbahesh, kur një dreq ta dreth
të drejtën dhe në lak syleshin heth
kur sheh kalan’ e jetës të rëzuar
dhe prap e ngre me veglën e çkallmuar.

Në mundsh të vësh m’i grumbull çdo thesar
edhe t’i loç të gjitha me një zar,
t’i humpç edhe të nisësh përsëri
pa thën’ asgjë për këtë batërdi.

Në mundsh të kesh një zemër, trup e kokë
që të shërbejnë sa të bëhen trokë,
dhe të vazhdosh i djegur shkrump në furrë
dhe të thërret vullneti: “Mbahu, or burrë!

Në mundsh të zbreç në turm’ e të mbash nderin
të hash me mbretin, të pish me neferin
në mos të ngaftë dot as mik as hasmë
n’i daç të gjithë, po asnjë për dasmë.

Në mundsh për çdo minutë të përpjetë
të rënç tamam sekunda gjashtëdhjetë
zaptove dhenë me çdo mall dhe hir
dhe ca më mirë, qënke trim, or bir.