Pasditen e sotme janë promovuar veshje të ndryshme të trevave shqiptare. Në kuadër të Muajit të trashëgimisë evropiane, u tha se shumë shpejt Kosova do të jetë edhe pjesë e hartës së UNESCO-s.

Në parkun arkeologjik “Ulpiana”, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik, Muzeun Kombëtar dhe Fondacionin “Tradita Popullore”, sot kanë organizuar ngjarjen kulturore në të cilën është promovuar diversiteti i pasur kulturor i Kosovës, përmes veshjes tradicionale dhe punimeve artizanale.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi tha se qëllimi i këtyre aktiviteteve është pasurohet lista e trashëgimisë shpirtërore, derisa ka shtuar se është me rëndësi të mbështetën studentët e Arkeologjisë.

“Jam shumë e nderuar si ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit, që në bashkëpunim me ne tash po e shënojmë muajin e trashëgimisë evropiane, kemi arritur që sot të organizojmë këtë ekspozitë që ka shumë dimensione. Kosova ka shumë pasuri. Kryeministër, ne prej ditës të parë i kemi marrë disa vendime që të pasurojmë listën tonë të trashëgimisë shpirtërore. Kemi arritur dy marrëveshje me Institutin Albanologjik dhe Rektoratin e Universitetit të Prishtinës që të mbështesim studentët. Unë të falënderoj kryeministër, për ardhjen tënde dhe treguesi më i madh është programi ku trashëgimisë i tregohet rëndësi e madhe, ku tregohet rëndësi e madhe për trashëgiminë”, tha Dumoshi.

E, kryeministri Avdullah Hoti tha se është obligim institucional të jenë prezent në pasqyrimin e koloritit shqiptar.

 “Kosova e ka vendin së shpejti në hartën e UNESCO-s. Me këtë pasuri dhe kujdesin që e ka ministrja e Kulturës shpejt do të lëvizëm në organizata ndërkombëtarë për të promovuar diversitetin kulturor që kemi si Kosovë”, ka thënë Hoti.

Tash e sa ditë kanë filluar tashmë aktivitetet për shënimin e Ditëve të Trashëgimisë Evropiane. Kjo ngjarje e vjeshtës ka për qëllim prezantimin e trashëgimisë kulturore.