Nga data 5 maj, do ta rifillojnë mësimin 441 nxënësit e pesë fshatrave të Kamenicës sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit për Organizimin e Mësimit Alternativ të Përshpejtuar.

Kjo u bë e ditur nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka terguar se Inspektorët e Arsimit në koordinim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe drejtorët e këtyre shkollave, kanë filluar përgatitjet e duhura për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor dhe pritet nga komuna e Kamenicës të zbatojë në tërësi vendimin.

Mësimi të organizohet për nxënësit e SHFMU “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë, SHFMU “Asllan Thaqi” Karaçevë e Poshtme, SHFMU “Xhelal Sopi” Petrocë, për nxënësit e Paraleles fizike në Shipashnicë e Poshtme si dhe për nxënësit e paraleles fizike në Kopernicë.

Zbatimi i këtij vendimi, sipas ministres Nagavci, nuk ka kosto shtesë për transport, pasi mësimi do të zhvillohet në shkollat ku nxënësit i kanë mbajtur më herët mësimet.

“Presim nga mësimdhënësit të jenë të gatshëm të kryejnë detyrën e tyre dhe të ofrojnë mësimdhënien për të gjithë nxënësit. Nëse dikush punon mbinormë është obligim i komunës të hartojë dhe dorëzojë raportet e detajuara. Nga ana tjetër askush nuk mund t’i pengojë mësimdhënësit gjatë procesit mësimor e as t’i penalizojë për punën që e kryejnë. Pasojat e humbjes së mësimit për nxënësit fatkeqësisht janë evidente dhe të shumëfishta. Angazhimi i të gjithë neve, secili vendim e veprim duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ndryshe, plani për riorganizimin e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta i njohur ndryshe edhe si ‘reforma’ në arsim, nuk u përkrah nga shumë banorë të Kamenicës. Me vendimin për riorganizim parashihej mbyllja e 19 shkollave në këtë komunë./21Media