Në Prizren u shqiptuan 173 gjoba ndaj personave që nuk respektuan masat që parashihen me Ligjin për pandeminë COVID-19. Gjoba këto të shqiptuara vetëm gjatë 24 orëve të fundit.

Nga drejtoria e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit kanë bërë të ditur se vetëm gjatë një dite u kontrolluan gjithsej 89 lokale dhe janë vizituar 43 persona të cilët gjenden në vet izolim.

“Me datën 24 nëntor 2020, duke u bazuar ne Vendimet e Qeverise së Republikës së Kosovës (masat mbrojtëse kundër Virusit Covid 19), Drejtoria rajonale e policisë në Prizren, Inspektoret Komunal dhe Inspektorët Sanitar nga AVUK-u, kanë zhvilluar aktivitete në parandalimin dhe respektimin e masave kundër Covid-19.Gjate kryerjes se detyrës zyrtare, angazhimet policore në zbatim të masave anti covid-19 në qendrat tregtare dhe lokacionet tjera në komunën e Prizrenit, policia ka shqiptuar 173 tiketa për personat të cilët nuk i kanë respektuar këto masa në bazë të ligjit 07/L-006, janë kontrolluar gjithsej 89 lokale dhe janë vizituar 43 persona të cilët gjendet në vet izolim”, thuhet në njoftimin nga policia.

Ndërkohë që në pasqyrimin e aktiviteteve tjera dhe kontrollimin e komunikacionit policia ka shqiptuar edhe 117 tiketa të kundërvajtjeve në komunikacion.

“Duke e ditur se Prizreni është një qendër kulturore dhe historike, frekuentohet nga shumë vizitorë nga jashtë e nga rajonet tjera të Kosovës, andaj te një pjesë e tyre policia ka dhënë rekomandime dhe vërejtje që të njëjtit gjatë vizitës në Prizren të marrin edhe masat mbrojtëse siç janë maskat. Aktivitete të tilla do të jene në vazhdimësi dhe policia rajonale në Prizren do të jetë në zbatim të plotë të Vendimit të Qeverisë”, thuhet mes tjerash në njoftim.