Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, bashkë me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi sot kanë bërë përurimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunën e Komunën e Rahovecit.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se kjo qendër do të shërbejë për plotësoj të gjitha nevojat e qytetarëve të Rahovecit që kanë nevojë për shërbime shëndetësore.

“Qytetarë të komunës së Rahovecit tani e tutje kjo qendër do t’i plotësojë të gjitha nevojat tuaja për shërbime shëndetësore cilësore , të shpejta dhe sa më të mira . Tani do të bëhet ristrukturimi i stafit dhe i shërbimeve në këto mjedise të mira dhe do të punohet në dy ndërrime”, ka thënë Latifi.

Ndërsa thotë se ky është investim i komunës së Rahovecit, dhe ka kushtuar afër një milion euro, dhe se në këtë qendër do të kryhen shërbime të ndryshme shëndetësore.

“Objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare është investim i Komunës së Rahovecit, i cili kap vlerën 918,173.06 ( Nëntëqind e tetëmbëdhjetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre euro) me sipërfaqe rreth 2200 m², në të cilën do të kryhen këto shërbime shëndetësore si, Mjekësia Familjare, Rentgeni, Laboratori dhe Emergjenca. Objekti gjithsej përmban 20 shtretër dhe 4 dhoma të intervenimit”, ka thënë Latifi.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se në objektin e më hershëm kishte mungesë të personelit, dhe se nuk kishte realizime të tilla, tani ai shprehet i lumtur që në këtë komunë po ndërtohet kjo qendër e cila do të jetë lehtësim për personelin, por edhe pacientët qe iu drejtohen kësaj qendre.

“Është infrastruktura tashmë e duhur Qendra e Mjekësisë Familjare këtu në Rahovec. Jam i gëzuar edhe unë shumë sepse kam rrugëtuar me ju. E mbaj mend objektin e më hershëm, e mbaj mend mungesën e personelit, dikur që s’keni pasur mjaftueshëm dhe realizimet e këtilla deri te ky i sotmi janë vërtetë një gëzim, si për ju që punoni drejtor, për stafin e juaj, për heronjtë tonë që përballën çdo ditë me gjitha vështirësitë që kanë pacientët… dhe gjitha këto janë të mundura kur kemi prijës që vërtetë i përkushtohen punës që e dojnë njeriun e këtij vendi, dhe i tillë është kryetari Latifi të cilin e falënderoj nga zemra për një punë njerëzore dhe për përkushtim ndaj njerëzve të Rahovecit, për shqetësimet që i keni”, ka thënë Haradinaj.

Tutje Haradinaj ka treguar edhe se sot për nderë të festave të nëntorit, por edhe për shkak të gjendjes pandemike, mëngjesin e sotëm ka dhënë gjak.

“Urime festa e flamurit nesër, e nëntorit të parë të Krujës, krye heroit tonë Gjergj Kastrioti Skenderbeu, Pavarsisë së Shqipërisë, daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të UCK-së së lavdishme të Adem Jasharit, por dhe gjithë atyre që kanë bërë sakrificë për liri sot, në shenjë respekti kam filluar ditën me dhurim të gjakut, edhe për faktin se jemi në pandemi dhe se janë shumë qytetarë të Kosovës që përballen me pandeminë por edhe me pasoja tjera shëndetësore të lidhura me pandeminë edhe me gjendjen e rënde ekonomike në vend”, ka thënë Haradinaj

Ndërsa ka apeluar tek qytetarët e Rahovecit që të dhurojnë gjak që mos ketë ankesa në këtë qendër për mungesë gjaku.