Tregim nga: Anton Pashku

N’çast ndjeu nji plogshti të madhe që ia përshkoi tan trupin. Çdo gja i dukej e çuditshme, madje edhe vetvehtja. Kurr nuk e kishte tradhtue fuqija si kësaj radhe. Nji lodhje e madhe e kaploi, tue fillue prej qepallave të syve e deri te gishtat e dorës, që i dridhesin bashkë me gotën. Ndjeu nevojën me u çue dhe me ikë prej atij vendi, por mendimi se kur t’eci do të duket qesharak, e pengoi, krenarija e tij nuk e la. Ajo e bani me u ulë edhe nji herë në karrike. Ndezi nji cigare dhe filloi me shikue i lodhun fjollat e tymit.
“Ha, ha, ha, …”përçau heshtjen nji e qeshun së brendshmi. “shihe nj herë ti… he, he, he…shihe, shihe nji herë…”
Veshët i fishkllojnë, dora me cigare lëshohet me pritesë mbi tavolinë. “Tingër…”
E theu nji gotë. Copat e qelqit u derdhën gjithkah. Ky filloi me i mbledhë si yjtë nëpër qiell. “Ooo”! briti në heshtje. “qe ku jam. Më jep nji akullore…të ftoftë, si bora në mal. Ej!”
Muer gotën tjetër dhe e piu deri në fund. Mandej paloi kryet mes duerve.
“Kërrr…” iu duk se rrëklloi trau mbi derë. I frigsuem, u struk në lëkurën e vet.
“Brum…bram..!” rraplloi dera me të madhe.
“zhzhbërsht, zhbërsht..” i rrëshqitën kambët nëpër baltë.
“fiuuuu..” fiukati era e tërbueme.
Ulet në prehën të mendimeve, i përqafuem prej krahëve të kangës së magjupëve:
“Kush ka për t’ja la fëmijt?”
Shiu ka për t’ia la!”
“Kush ka me i luhatë për Shën Gjergj fëmijt e tu?”
“Era ka me i luhatë”.
“Po djalit tand kush ka i dhanë gji?”
“Dhija e egër ku kalon atypari.”
Bulza djersësh rrëshqasin nëpër ballin e tij. Çliron kravatën, çon gotën në buzë e pin deri në fund dhe shikon në fundin e saj.
“SOS…SOS…Anija “Titanik” në rrezik…SOS…”
Klithi me dëshprim. Përrreth tij shpërthen gazi. Njerëzit qeshin me të.
Ku me ditjtë se çfarë mbretnije lumnish ka andrrue! I tha njeni shokut afër tavolinës së tij.
Ky nuk u vuni vesh talljeve, as që i ndiente. Ishte thellue n’Unin e tij të turbullt. Plotsisht. Ndiente vetëm vërshëllimën e stuhis së marrë. Ajo në mbrendsin e tij, shkonte tue cue valë të mëdha, stërkalat e të cilave e shpijshin si thumba. E ndiente dhimbjen e tyne t’madhe, të stërmadhe; por fija e arsyes së tij ishte e ngjyeme në langun e bardhë; ishte e dehun, e përputhun me rrafshin rrethak të gotës së zbrazun…

Prill, 1957