Me ndërmjetësim të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni, ka zhvilluar sot në Bruksel, takimin e radhës me delegacionin e Serbisë i kryesuar nga Petar Petkoviq.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se dy kryenegociatorët janë pajtuar që të mbajnë raundin e dytë të bisedimeve për pretendimet financiare dhe pronat.

Sipas tij, bisedimet e sotme kanë shënuar një hap përpara.

Sot ne bëmë një hap tjetër drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim duke mbajtur edhe raundin e dytë të bisedimeve mbi pretendimet financiare dhe pronën. Poashtu ishte hera e parë që kryenegociatori i ri serb Petar Petkovic iu bashkua diskutimeve tona. Vazhdon së shpejti”, ka shkruar Lajcak në Twitter.

Nga Qeveria e Kosovës kanë bërë të ditur se temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve. “Në kuadër të kësaj teme sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin. Përkundër diskutimit të gjatë për këto tema, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve. Por megjithatë, është arritur pajtueshmëri që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme, pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve, të vazhdohet në takimin e radhës”, thuhet  në njoftimin e Qeverisë./21Media