A do të bëhet tryeza shqiptare?

Kryetari i Bdi-së Ali Ahmeti në një emision televiziv ka kërkuar nga partitë shqiptare të takohen të gjithë bashkë për idenë e kryeministrit shqiptar?

Ahmeti në deklaratën e tij ka theksuar se kjo tryezë e përbashkët ka për qëllim bashkëkordinimin e shqiptarëve.

“Është shumë me rëndësi që partitë shqiptare të takohen, të bashkëkoordinohen, unë jam optimist duke parë dhe deklaratat e tyre që ne si shqiptarë duhet të kemi parasysh që çështjet substanciale që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me shqiptarët të arrijmë dakordësi”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët një javë para zgjedhjeve në Debatet zgjedhore në TV21 tha që tryeza e përbashkët është e gjallë, dhe se këtë mund ta thërrasë gjithkush nga liderët shqiptarë.

Por sipas tij këtë nuk e ka bërë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti atëherë kur është dashur.

 “Goxha po bëhen thirrje për të gjithë parititë shqiptare, u bë në fillim a të kujtohet?, ne e kemi ndërtuar një instrument në të cilën çdo parti shqiptare që ka një propozim për diçka të përbashkët që na lidh të gjithëve ta thërrasë atë tryezë. Bdi i ka fituar zgjedhjet kishte shumë të drejtë legjitime ta therrasë tryezën përpara se ta bëjë propozimin”, tha kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.

Sekretari i përgjithshëm i Altrenativës, Skender Rexhepi Zejdi, i pyetur se a do të bashkohen rreth idesë së Ahmetit për kryeministrin shqiptar, tha se ftesa është thjeshtë partiake.

 “Ftesa e tyre është ftesë personale, partiake, ne i bashkohemi ftesës për të kthyer mirëqenien jetën më të mirë shqiptarëve për ne është më primare kjo sesa një postë që e kanë shpikur oponentët politik”, u shpreh Skender Rexhepi, Sekretar i Përgjithshëm i Alternativës.

Për tryezën shqiptare pyetëm edhe Arjanit Hoxhën nga Lëvizja Besa. Ai u përgjigj shumë shkurt.

 “Jemi në pushim”, potencoi Arianit Hoxha.

E Partia Demokratike Shqiptare na tha se për momentin nuk ka një qëndrim të prerë.

Ndryshe në zgjedhjet e vitit 2016 partitë shqiptare firmosën Platformën shqiptare përmes së cilës  u zotuan se do të angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni./21Media