Neil Young ia shet kompanisë së njohur 50% të krijimtarisë
6 Janar 2021
Kantautori i njohur Neil Young ia ka shitur 50% të të drejtave të krijimtarisë kompanisë “Hipgnosis”.
Kompania i ka blerë edhe të drejtat e disa artistëve tjerë si Jimmy Lovine dhe Lindsay Buckingham nga grupi “Fleetwood Mac”.
Marrëveshja përfshin 1180 kompozime të Young-ut me 50% të drejta nga kompania “Hipgnosis”.
“Hipgnosis Songs Fund” u themelua në vitin 2018 nga Merck Mercuriadis që më parë ka menaxhuar artistë të njohur si Elton John, Beyonce e të tjerë. Kompania e tij u rrit ndjeshëm, ajo ka inkorporuar miliarda funte angleze.
Mercuriadis thotë se ka qenë fans i Young-ut që nga mosha 7-vjeçare kur pati blerë albumin “Harvest”.
Kohët e fundit shitja e krijimtarisë është bërë trend në industrinë e muzikës. Së fundmi edhe kantautori tjetër Bob Dylan ia shiti krijimtarinë Universal Music Group-it për një shumë rreth 300 milionë dollarë. /21Media