Nëna ime e bukura Hatixhe
11 Korrik 2020
Poezi nga Dritëro Agolli kushtuar (1963) nënës së tij Hatixhe Agolli
Nëna ime , e bukura Hatixhé,
Më e bukura nga gjithë fshatarkat ,
Atje në minder mbi një dyshemé
Më polli mua kur u kthye nga arat.
E britma ime u hap përmbi dhé
Bashkë me zërat e demit e kalit,
Nëna ime , e bukura Hatixhé,
Heshtte e çlodhur dhe i gëzohej djalit.
Pastaj u mblodhën fshatarët e mi,
Faqet e parruara i ulën mbi mua,
Dhe thanë:” Shumë ara do lërosh ti
Dhe shumë ujë do pish në krrua !”…
E vêrtet , nën qiellin me re e pa re,
Lërova ara e kapërceva pragje,
Për nënën time , të bukurën Hatixhé,
Këndova këngë e thura vargje…