Mungesa e ujit ua ka përkeqësuar përditshmërinë më së shumti grave.

“Ja kështu mundohena një kafe kur e pimë, ose kur bëhen enët pak më shumë, duhet dikush të të çes ujë për t’i larë enët. Prej mëngjesi e kemi ditën shumë të ngarkuar me këto gjëra. Uji kur vjen është tepër i papastër, nuk bën as për të larë rrobat, por ne pastrojmë me atë ujë sepse nuk mund të mbushim ujë edhe për rroba”, tha një banore e Siniçanit.

Amviset ankohen se nuk kanë mundur as të përgatiten për Kurban Bajram si duhet pa ujë.

“Po me ujë të blerë ose me ujë të mbushur përgatisim, por pastaj bëhen shumë enë për të larë, është vështir. Për Bajram jemi munduar shumë pa ujë, jemi munduar të lajme por edhe tepihtë dhe gjerat tjera i kemi çuat t’i lajmë atje ku lajnë, me para. Është vështirë sepse të gjitha gjërat nisin dhe përfundojnë me ujë”, tha banorja e Siniçanit.

Në pjesën më të madhe të ditës Siniçani është pa ujë. E kur vie uji, është i papastër dhe nuk mund të përdoret as për tu pastruar.

“Me këtë leckë që e përdorim, ja sasia e mbeturinave. Sa më gjatë të rri në çezme aq më tepër do të ketë ujëra të zeza. Këtë ujë ne nuk mund ta përdorim për pije”, theksoi banorja e Siniçanit.

Problemi me ujin e pijshëm dhe mungesën e tij në Siniçan është me dekada thanë banorët. Për pije banorët shpenzojnë shumë për të blerë ujë, e për nevoja të tjera mbushin nëpër burime të afërta, si në Tetovë ose Bogovinë.

Siniçani shtrihet në komunën e Bogovinës, është  i populluar kryesisht me shqiptare dhe numëron rreth 500 shtëpi, raporton TV21./21Media