Ministria e Punëve të Brendshme dhe EUROPOL-i sot kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi.

Kjo marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili e vlerësoi si një marrëveshje dhe arritje shumë të madhe për Kosovën, shkruan rtv21.tv.

“Sot është një ditë tejetë me rëndësi për Kosovën dhe Agjencitë e zbatimit të ligjit, veçanarisht Policinë e Kosovës duke marr parasysh se me nënshkrimin e marrëveshjes me Europol kemi forcuar dhe avancuar kapacitetet tona në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar ndërkombëtar, terrorizmit dhe formave të tjera të krimit të rëndë”, tha Veliu në një fjalë rasti pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Nataliya Apostolova, shefe e zyrës së BE-së në Kosovë, ka thënë se marrëveshja e Kosovës me EUROPOL do ta vendosë Kosovën të barabartë me vendet e rajonit.

Ndërsa, Rashit Qalaj, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, e quajti ndër arritjet më të mëdha. Sipas tij, PK dita-ditës po hyn në bashkëpunime me nivele të larta.

Kosova, deri më tani, ka qenë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, me të cilin EUROPOL-i nuk ka pasur marrëveshje bashkëpunimi dhe rrjedhimisht nuk ka pasur mundësi të shkëmbimit të informacioneve, me qëllim luftimin e krimit të rëndë dhe të organizuar./21Media