Komiteti për menaxhimin e gjendjes së pandemisë në Gjilan, ka mbajtur sonte mbledhje të jashtëzakonshme, ku është vlerësuar gjendja e pandemisë në këtë komunë, ku sot rezultuan 9 raste të reja me Covid-19.

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, në një konferencë pas këtij takimi të Komitetit, ka thënë se nga 30 mostra të marra dhe për analizë, 9 raste kanë rezultuar pozitive dhe bëhet fjalë për raste kontakti. Ndërkaq sot janë dërguar për testim edhe 60 mostra dhe rezultatet i presim nesër nga IKSHP.

“Burimet janë të njëjta, janë burime të vjetra dhe të njohura për ne dhe kemi filluar t`i marrin listat e kontakteve prej familjarëve që kanë pasur kontakt me këta 9 persona”, ka thënë Ismajli duke sqaruar se asnjëri prej këtyre rasteve nuk ka të bëjë me gastronominë.

Ndërkaq, doktorët Ajhane Sefiu, Ukshin Ismajli e Berisha kanë bërë apel te qytetarët për përdorimin e maskave, dorëzave dhe mbajtjen e distancës fizike, si masa më të sigurta për mbrojtje nga virusi.

Ndryshe, kryetari Lutfi Haziri sot ka paraqitur masat të cilat janë ndërmarrë me qëllim rritjes së efikasitetit në kontrollin e situatës si dhe ka bërë publike pakon e re të masave, që duhet të respektohen për parandalimin e virusit./21Media