Nëse i rikonfirmohen listat, Ministria e Financave do t’i procedojë sot pagat për mësimdhënësit

Ministria e Financave pas miratimit të kalendarit të ri mësimor nga MASHTI që parasheh zëvendësimin e orëve të humbura, ka kërkuar edhe njëherë nga organizatat buxhetore që t’i rikonfirmojnë listat e pagave.
Sipas njoftimit, nëse kjo kryhet dhe pas rikonfirmimit të listave, pagat e mësimdhënësve do të procedohen gjatë ditës së premte.
“Organizatat buxhetore (OB) duhet të vendosin nëse do të procedojnë pagat si paradhënie për orët e shtatorit që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga MASHTI, përndryshe duhet të veprojnë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva. Pas përfundimit të procedurave dhe rikonfirmimit të listave nga OB-të që paradhënia procedohet në përputhje me kalendarin e ri mësimor, Thesari do të procedojë sot me ekzekutim të pagave”, thuhet në njoftim.
Ministria e Arsimit ka nxjerrë vendim për plotësimin dhe ndryshimin e Kalendarit të vitit shkollor 2022-2022. Me këtë vendim do të ndryshohet Kalendari i vitit shkollor 2022-2023, për shkak të 22 ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator 2022, si pasojë e grevës së mësimdhënësve. Tetë  ditë të mësimit të pambajtura për parafillore dhe klasat (1-8) sipas UA-05/2022 për Kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 do të mbahen ditëve të shtune, si në vijim: Në muajin Tetor, 2022 mësimi mbahet më datat 15.10.2022, 22.10.2022 dhe 29.10.2022; Në muajin Nëntor, 2022 mësimi mbahet më datat 12.11.2022 dhe 26.11.2022;Në muajin Dhjetor, 2022 mësimi mbahet më datat 10.12.2022 dhe 24.12.2022;Në muajin Janar, 2023 mësimi mbahet më datë 14.01.2023.
Mësimdhënësit kishin hyrë në grevë më 25 gusht të këtij viti, ata kërkuan që t’i marrin 100 euro shtesë në pagë deri në miratimin e Ligjit për Paga. Qeveria ofroi pako mbështetëse përmes së cilës të gjithë punëtorët e sektori publik do të merrnin 50 euro shtesë në pagë, mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë vazhduan sërish grevën deri më 3 tetor kur vendosën ta pezullojnë deri në janar të vitit 2023.
Por, Qeveria nuk ekzekutoi pagën e shtatorit për mësimdhënësit me arsyetimin se nuk punuan, pagat u ekzekutuan për shërbyesit civilë ani pse edhe ata ishin në grevë. Një gjë e tillë nuk u prit mirë nga SBASHK, kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari paralajmëroi se mund të hynë sërish në grevë nëse nuk ekzekutohen pagat./21Media

Back to top button