Ish-drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani sonte u shpreh se nëse mund të sigurohen 300 mijë doza të vaksinave, atëherë Kosova do ta kalojë virusin Covid-19.

Ramadani në “Click” tha se me 300 mijë doza, vendi ynë nga muaji korrik ose gusht ta zvogëlojë apo kufizojë në tërësi pandeminë Covid-19, shkruan rtv21.tv

Ndryshe, sot Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës sot ka informuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur 5 persona që kanë qenë të prekur me Covid-19, janë konfirmuar edhe 382 raste të reja, ndërsa janë shëruar nga Covid-19 edhe 507 persona. “Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 507 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 89.648 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.366. Numri total i rasteve pozitive është 103.124 raste nga 511.336 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.110 raste të vdekjes.”, ka informuar IKSHPK./21Media