Tekstet e këngëve të zhanrit chanson janë gjithmonë unike, ato i flasin dashurisë, gëzimeve e dhimbjeve. Ishte periudha e parë e shekullit 20-të kur në Paris gëlonin kabaretë, baret, restorantet ku luhej muzikë. Aty tuboheshin artistë nga e gjithë bota, aty ishte “atdheu” i tyre, sepse e gjenin veten mes një jete libertine të mbushur me art. Joe Dassin është një nga këta artistë. Ai ishte ndër zërat më të ngrohtë që këndonte nëpër Paris. “Nëse nuk do të ekzistoje” është padyshim kryevepra e tij muzikore, një tekst i bukur lirik që përcillet nga interpretimi fascinues. Kënga u incizua në vitin 1976 dhe u bë hit botëror.

Më poshtë teksti në shqip dhe kënga.

Interpreton: Joe Dassin
Teksti: Pierre Delanoë
Shqipëroi: Bujar Meholli

Nëse nuk do të ekzistoje ti,
thuamë, përse duhet të ekzistoja unë?
Për t’u sorollatur nëpër botë, pa ty?
Do të isha i pashpresë,
përdëllim s’do të gjeja kund
nëse nuk do të ekzistoje ti,
do të orvatesha ta trilloj dashurinë
si një piktor që sheh përmes gishtave
lindjen e ngjyrave të ditës
dhe mrekullohet rreth e rrotull tyre
duke vendosur telajon.

Përse duhet të ekzistoja unë
nëse nuk do të ekzistoje ti?
Vajza kalimtare do të më flinin mbi supe
pa fituar kurrë dashurinë time,
nëse nuk do të ekzistoje ti
do të isha sall një krijesë e kësaj bote
që ashtu e përhumbur vjen e shkon,
oh, sa shumë do të kisha nevojë për ty…

Nëse nuk do të ekzistoje ti,
më thuaj, si do të isha ky që jam?
Atëherë do të ishte një tjetër njeri
i shtirur kinse është unë.
Por nëse vërtet nuk do të ekzistoje,
do ta gjurmoja jetën me sekretet e saj
pastaj do ta gjeja psenë i zhytur thellë,
gjithçka do të bëja vetëm e vetëm
të të krijoj ty dhe të sodis fare pranë…