“Duke i pasur parasysh arsyet të cilat i kisha shpallur në të gjitha gjendjet e mëparshme të jashtëzakonshme, konsideroj se në këtë moment nuk ka nevojë të shpallet gjendja e re e jashtëzakonshme,” tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.

Pas 86 ditëve, Maqedonia po del nga gjendja e jashtëzakonshme. Vendimin e ka marrë Presidenti pa një kërkesë paraprake nga ana e Qeverisë. Arsyetimi është se Qeveria ka sasi të mjaftueshme të pajisjeve mbrojtëse dhe medicinale, si dhe masat e sjella për mbështetje të ekonomisë kombëtare me mbulesë në buxhet.

Gjendja e jashtëzakonshme nuk ishte shpallur dhe nuk mund të krahasohet me numrin e të infektuarve të atëhershëm dhe tani, porositi Presidenti Stevo Pendarovski.

“Lidhur me masat siç ishin ora policore, karantina dhe gjendja krize në një pjesë apo në tërë territorin e vendit, ekziston një rregullativë ligjore dhe fare nuk ka nevojë të shpallet gjendje të re të jashtëzakonshme për t’i zbatuar këto masa”, tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.

Duke folur për zgjedhjet, shefi i shtetit, theksoi se ato fare nuk lidhen me datën e zgjedhjeve. Siç tha ai, mund të organizohen edhe në gjendje të jashtëzakonshme, por do të duhet që Qeveria ta ndryshojë Dekretin me fuqi ligjore. Ai u bëri thirrje liderëve të partive politike – qysh sot të ulen në tavoline dhe të arrijnë marrëveshje për datën, sepse siç shtoi, nëse kjo nuk ndodh, atëherë kjo do të nënkuptonte fillim të një krize të re.

“Nëse nuk arrijmë të merremi vesh për një proces zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës, kjo do të nënkuptonte hyrje në një krizë të thellë politike. Nëse e shohim rajonin më të gjerë në të cilin jemi dhe tentimet për destabilizimin e tij përmes kërcënimeve hibride dhe lajmeve të rreme, atëherë nuk mund ta përjashtojmë mundësinë se një krizë eventuale politike dhe juridike, nuk do të shndërrohej në krizë sigurie,” tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.

Vendosja e interesave shtetërore mbi ato partiake është mesazhi kryesor që ua dërgoi Presidenti liderëve partiak. Ai bëri thirrje të arrihet një marrëveshje sa më shpejt që është e mundur, për të mos krijuar një krizë më të madhe të brendshme, me çka do të vihej në pikëpyetje edhe perspektiva evropiane, dhe do të cenoheshin edhe përpjekjet për ballafaqim me koronavirus. Në rast se liderët partiakë taktizojnë me datën 5 apo 8 korrik, Presidenti është i gatshëm të shpallë gjendje të jashtëzakonshme më të shkurtër, me të vetmin qëllim – mbajtja e zgjedhjeve.

Në territorin e tërë Maqedonisë së Veriut, Presidenti deri më tani ka shpallur katër herë gjendje të jashtëzakonshme, me arsyetim se institucionet janë jofunksionale, shkaku i shpërndarjes së Kuvendit, kurse me shtetin udhëheq Qeveri teknike, për të cilën, sot shefi i shtetit, tha se ka qenë jofunksionale, raporton TV21./21Media