Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se masat e reja për të ndaluar të gjitha hyrjet dhe daljet në Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Gjilan, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime, po respektohet.

Zemaj përmes një postimi në “Facebook”, ka falënderuar Policinë e Kosovës për siç thotë ai përkushtimin e madh.
“Në zbatimin e rreptë të masave janë edhe Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale dhe shtabet komunale për zbatimin e Ligjit anti COVID-19, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19”, ka shkruar Zemaj.

Kreu i Ministrisë së Shëndetësisë tha se bashkë me IKSHPK-në po përcjellin situatën epidemiologjike, bazuar në hartën e rasteve me COVID-19 për 100 mijë banorë, duke theksuar se nëse vazhdon trendi i rritjes së rasteve të reja në komunat të tjera, edhe ato do të mbyllen.

“Ju lus të keni kujdes, rreziku nga virusi ekziston dhe për shkak të mos përmbushjes së rekomandimeve”, ka shkruar tutje ai./21Media