Nga nesër starton gara për 120 mandate deputetësh. 1578 kandidatë nga 15 parti politike do të garojnë për të fituar mandat për tu bërë deputet. Tashmë janë zgjedhur edhe slloganet me të cilat do të garojnë partitë politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

LSDM së bashku me partnerët e koalicionit do të prezantohet me slloganin “Mundemi – Edhe më shumë, Edhe më mirë”.

Mundemi shumë më mirë dhe shumë më shumë. Këtë e vërtetuam përmes programit që ofron zgjidhje reale, të arritshme dhe cilësore. shtylla jonë e parë është ekonomia, ku parashohim hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës dhe papunësia të bie nën 8% deri në fund të mandatit në vitin 2024. Dëshmuam se pagat në gjithë sektorët mund të rriten në vazhdimësi por mundet më shumë dhe më shpejtë. Në zgjedhje ofrojmë 300 euro pagë minimale dhe 600 euro pagë mesatare, rritje e pensioneve prej 21%, pensione minimale 10 800 denarë. E gjithë kjo është e arritshme dhe reale për shkak se deri më tani kemi dëshmuar se pagat dhe pensionet mund të rriten, ndërsa papunësia të ulet”, tha Zoran Zaev, LSDM.

Koalicioni “Ripërtëritja e Maqedonisë” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE e kanë zgjedhur slloganin “Më shumë”. Thonë se shtetit i nevojitet ripërtëritje e ekonomisë, shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe arsimit.

Ripërtëritja është vizioni ynë për ndryshimin e realitetit të rëndë që e jeton çdo qytetar. Ripërtëritja do të sjell më shumë për të gjithë dhe ndryshimet që do ta bëjnë Maqedoninë ashtu siç duam ta kemi. Vijon periudhë e shpresës së re, hapit të ri ku do të tregojmë se të gjithë jemi të njëjtë”, tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

BDI vendosi për slloganin “Erdhi koha për Kryeministrin e parë shqiptar”. Nga partia thonë se për këtë fushatë është xhiruar edhe këngë me titullin “Unë besoj”.

Edhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të angazhohen për jetë më të mirë për qytetarët, kështu që së bashku kanë vendosur për slloganin “Tani është koha”.

PDSH vendosi të përfaqësohet me sloganin “Po vjen vera nga dera”. Nga ky subjekt thonë se për këtë sllogan kanë vendosur në bazë të bindjes se vera u përket shqiptarëve që do të sjellin ndryshime.

Koncepti maqedonas në këto zgjedhje do të garojë me slloganin “Shansi i fundit”.

Ky është shansi i fundit. Shansi i  fundit që të zbatojmë në vepër ideologjinë e mendjes së shëndoshë. Shansi i fundit që të jetojmë në liri, paqe dhe solidaritet. Shansi i fundit që ta ndërtojmë shtetin normal me qytetarë të pasur. Dhe në fund, shansi i fundit që të kthejmë shtetin në duart tona”, tha Petar Bogojevski, Koncepti Maqedonas.

Retorika kryesore që do ta kenë në 20 ditët e ardhshme partitë politike janë zhvillimi ekonomik dhe arsimim cilësor, shëndetësia dhe kultura. Të gjithë këto segmente janë pikat kryesore që do të prezantohen gjatë kohës së fushatës para qytetarëve./TV21