Nën përkujdesjen e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, nga data 19 deri 23 tetor, mbahet “Java për të drejtat e viktimave të krimit”, me moton “Mbrojtja e viktimave të krimit, mision ynë edhe gjatë pandemisë”.

Për shkak të rrethanave të shkaktuara nga pandemia me koronavirus, “Java për të drejtat e viktimave të krimit” hapet nesër në ora 10:00, me një video-mesazh për media nga ana e kryeprokurorit Lumezi, për të vazhduar me video-mesazhet e presidentit Hashim Thaçi, ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnett dhe ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi.

Të gjitha seminaret e javës do të zhvillohen online me anë të platformës Zoom, ku sipas sesioneve janë paraparë diskutimi i këtyre temave:

Dita e parë – 19 tetor- ”Dhuna në familje dhe veprimet e institucioneve për trajtimin e saj gjatë pandemisë”.

Dita e dytë – 20 tetor – “Abuzimi i fëmijëve dhe sulmet seksuale- Nevoja për trajtimin me prioritet të rasteve të abuzimeve seksuale”.

Dita e tretë – 21 tetor – “Qasja e përgjithshme ndaj viktimave në kohën e pandemisë”.

Dita e katërt – 22 tetor – “Trafikimi me qenie njerëzore, koordinatorët e caktuar dhe vështirësitë në identifikim, hetimin dhe ndjekjen e rasteve”.

Dita e pestë – 23 tetor – “Kompensimi i viktimave të krimit- risitë në fushën e kompensimit të viktimave të krimit”.

Folës dhe pjesëmarrës në seminaret e “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”, do të jenë përgjegjësit e institucioneve përkatëse, si dhe partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.