Në pistën e vjetër të Aeroportit në Sllatinë, të shtunën mbahet gara e tretë, e fundit për këtë vit, në disiplinën Drag Race, e vlefshme për Kampionatin e Kosovës në automobilizëm.

Sikur edhe herëve tjera, spektakli është i garantuar, duke marrë parasysh interesimin e madh për pjesëmarrje.

Paraqitja në garë bëhet nga ora 08:00-09:30, ndërsa gjatë kësaj kohe garuesit do të pajisen me numra, do të kryhet verifikimi i dokumentacionit dhe kontrollimi teknik, e këto procedura do të kryhen në pikën e një karburanti në Sllatinë, drejtimi Prizren-Prishtinë.

Nga ora 10:00-10:30 do të ketë lëshime të lira, pastaj brifingu me garues, ndërsa në orën 11:00 fillojnë vozitjet kualifikuese (dy të tilla), në të cilat garuesve do t’u matet koha dhe do t’u përcaktohet klasa. 15 minuta pas përfundimit të tyre bëhet publikimi i rezultateve derisa pas 15 minutave tjerë publikohet lista startuese në mënyrë që 30 minutave pas përfundimit të kualifikimeve të fillojë gara zyrtare. Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK) në bashkëpunim me Eurogoma RT i kanë marrë të gjitha masat për garë të organizuar sa më mirë, në të cilën do të asistojnë edhe Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë (Lipjan) dhe Brigada e Zjarrfikësve (Lipjan)”, thuhet në njoftimin e federatës.

Ndryshe nga herët tjera, gara do të mbahet vetëm të shtunën, për shkak të parashikimit të meteorologëve se e diela do të jetë gjatë tërë kohës me shi.