Komuna e Malishevës sot informoi se nesër do të hapen dy shkollat në Damanek dhe në Kijevë. Kështu ka vendosur sot Task-Forca komunale për arsim në takimin e mbajtur sot pasdite.

“Deri te ky vendim ka ardhur, pasi është konfirmuar nga IKSHPK se i tërë stafi i mësimdhënësve ka rezultuar negativ, ndërsa edhe nxënësit, përjashtuar dy raste, kanë rezultuar negativ. Bazuar në të dhënat zyrtare të komunikimit me IKSHPK, nga 178 teste të realizuara me stafin e mësimdhënësve dhe nxënësve në shkollën e Damanekut, vetëm dy raste kanë rezultuar pozitiv me covid-19 dhe të dy rastet janë izoluar.”, informoi komuna e Malishevës përmes komunikatës.

Task-Forca komunale për arsim, siç u bë e ditur, pas shqyrtimit të situatës, ka vendosur të ripahen shkollat në Damanek dhe në Kijevë, pasi të dy rastet janë izoluar, ndërsa nxënësit tjerë dhe mësimdhënësit, kanë rezultuar negativ.

Ndryshe, situata me covid-19 në komunën e Malishevës,është e menaxhueshme, ndërsa gjendja e përgjithshme është: Nga 256 raste të regjistruara me covid-19, deri më sot janë shëruar 223 persona, 24 persona të prekur me Covid-19 kanë vdekur, ndërsa aktualisht me covid-19 janë 9 persona./21Media