Nesër premiera e baletit “Time”, Kajtazi: Pretendojmë ta shfaqim jashtë vendit

Baleti Kombëtar i Kosovës nesër do ta ketë premierën e parë për vitin 2023. Shfaqja “Time”, me koreografi nga Taulant Shehu sonte do ta ketë provën finale për t’u prezantuar nesër mbrëma para publikut të kryeqytetit.

Një ditë para kësaj premiere, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, në një konferencë për media deklaroi se shfaqjen “Time” pretendojnë ta shfaqin edhe jashtë vendit.

Ai u shpreh i lumtur që kanë arritur të rikthehehen pas një kohe te publiku i Prishtinës.

“Sonte kemi provën finale për t’u prezantuar nesër para publikut…Pretendojmë ta shfaqim edhe jashtë vendit dhe sigurisht që në momentin që lëviz jashtë Kosovës, është sfidë numri i madh i stafit. Kemi nevojë për një shfaqje mobile edhe për shka të kushteve, mirëpo edhe për shkak të performancave që do t’i kemi jashtë vendit… Jam shumë i lumtur që kemi arrit të rikthehemi prapë pas një kohe tek publiku i Prishtinës dhe uroj që do të vazhdojmë përkundër këtyre kushteve që i kemi momentalisht, që të jemi sa më shpesh në baza javore para publikut, me shfaqje”, u shpreh ai.

Ndërsa, koreografi Taulant Shehu tha se mezi pret ta shohë nesër reagimin e publikut.

Ai nënvizoi se mënyra më e mirë të shfaqësh një emocion është gjuha e trupit dhe shtoi se janë munduar që përmes “Time” të shfaqin një emocion që vjen nga trupi.

“Kur menduam ta bënim këtë projekt në Kosovë, ishte ideja që nuk është skena klasike për të krijuar diçka dhe gjetëm këtë hapësirë këtu, që nuk është ajo që zakonisht balerinët perforojmë… Mezi pres të dalim nesër dhe të presë reagimin e publikut të Kosovës. Ideja ishte kohë, “Time”. Të gjithë kemi momente në jetë të bëjmë një rrugëtium në jetën tonë. Gjatë gjithë pjesës një kërcimtar ka një moment të tijin, ku secili prezanton një emocion, moment jete… Mënyra më e mirë të shfaqesh një emocion është gjuha e trupit, për mua është më e fortë se gjuha e të folurit dhe jemi munduar shumë që të tregojmë një emocion shumë të fortë që vjen nga trupi”, u shpreh ai.

Ndërkaq, balerina Aulona Nuhiu potencoi se është bërë kohë e gjatë që kur nuk ka pasur shfaqje para publikut prishtinas dhe shtoi se po rikthehen me shfaqje të veçantë.

“Është bërë kohë e gjatë që i kemi munguar publikut të Prishtinës dhe po rikthehemi me një shfaqje të veçantë… Ka qenë pak e vështirë për t’u përshtatur, por jemi munduar shumë gjatë gjithë kësaj kohe dhe shpresoj që i’a kemi dalë dhe t’i ofrojmë publikut një shfaqje shumë të mirë”, u shpreh ajo.

Kujtojmë që, premiera e baletit “Time” do të mbahet nesër (e diel), nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, në Prishtinë.

Back to top button