Nesër pasdite në Bruksel do të publikohet raporti i progresit i BE-së për Kosovën dhe gjithë rajonin.

Sipas burimeve të RTV21, në Raportin e progresit për Kosovën nuk ka regres edhepse ka një numër çështjesh ku nuk ka progres apo ka shumë pak progres. Raporti adreson edhe situatën politike, mungesën e stabilitetit politik, zgjedhjet e parakohshme, vonesat në formimin e qeverisë e re, ndryshimin e qeverisë, gjyqësinë, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithmonë sipas burimeve tona, në raport thuhet se, është shënuar pak progres në çështjet ekonomike sepse ka pasur performancë të mirë edhepse është sfiduar nga Covid 19. Raporti do të rekomandoj më shumë stabilitet politik dhe fokus në agjendën evropiane.

Ky raport është dashur të publikohej në prill ose maj të këtij viti, por për shkak të pandemisë me Covid 19 është shtyrë deri në fillim të tetorit.

Burimet e RTV21, brenda institucioneve të BE-së bëjnë me dije se përpos raportit të progresit do të publikohet edhe një raporti i dytë, një plan  për zhvillim ekonomik dhe investime në rajonin e Evropës Juglindore. Nga ky plan Kosova pritet të përfitoj projekte në vlerë mbi 400 milionë euro, që përfshijnë kryesisht infrastrukturën, ndërtimin e  hekurudhave dhe autostradave, mbështetjen për teknologjinë digjitale, ekonominë e gjelbër,  inovacionet dhe startupet./21Media