Ministria e Shëndetësisë, ka paralajmëruar se Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19 do të mblidhet nesër për të shqyrtuar propozimet e reja për aplikimin e disa masave me qëllim që të parandalohet përkeqësimi i situatës epidemiologjike që do të mund të çonte te kufizimet ekstreme.

Në njoftimin e MSH-së thuhet se do të shqyrtohen propozimet për masat e reja në mënyrë që të parandalohen kufizimet ekstreme.

“Komiteti për vlerësim dhe koordinim të situatës epidemiologjike rreth Covid-19 do të mblidhet nesër për të shqyrtuar propozimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë për aplikimin e disa masave me qëllim që të parandalohet përkeqësimi i situatës epidemiologjike që do të mund të çonte te kufizimet ekstreme. Komiteti nesër do të shqyrtojë disa propozime që kanë të bëjnë me kufizime të mundshme apo reduktime të veprimtarive në sektorë të ndryshëm, rritje të përkujdesit në institucione publike e private, rritje të kujdesit për grup-mosha e kategori të caktuara dhe të tjera”, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Ministria e Shëndetësisë,  kërkon nga Policia e Kosovës dhe inspektoratet përkatëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj shkelësve të vendimeve që lidhen me COVID-19, bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.

Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit vdiqën katër persona, të cilët ishin të prekur me Covid-19, ndërsa u konfirmuan 418 raste të reja, derisa u shëruan 67 pacientë./21Media