Para 87 vjetësh ishte lindur Nexhmije Pagarusha, e njohur si ikona e muzikës shqiptare.

Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Pagarusha ishte e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testinë”, “Kënga e Rexhës” etj. “Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj që ruan elemente folklorik të këngës.

Nexhmie Pagarusha kishte ushtruar edhe aktivitet prej aktoreje, duke u paraqitur në disa skena të filmave “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut”.

Nga viti 1984, Pagarusha kishte vendosur të përmbyllte karrierën si këngëtare. Në vitin 2012, Pagarusha ishte dekoruar me “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë.

Nexhmije Pagarusha ka vdekur më 7 shkurt 2020, në moshën 86-vjeçare.