Masat e reja kundër COVID-19

Masat e reja kundër COVID-19

Ministri në detyrë i Shëndetësisë,  Arben Vitia njoftoi qytetarët me masat e reja të ndërmarra për parandalimin e COVID-19.

Vitia  bëri të ditur se prej datës 15 prill për personat mbi 16 vjec do të lejohet dalja nga shtëpitë për vetëm një orë e gjysmë në ditë (90 minuta).

Orari i lëvizjes do të përcaktohet në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal.

Ky qarkullim do të bëhet vetëm për t’u furnizuar me mallra të domosdoshme si ushim, barna.

Po ashtu në bazë të vendimit nuk lejohet shoqërimi nga asnjë person tjetër, përvec në dy raste: Personat me aftësi të kufizuara, dhe personat nën 16 vjec me kusht që të jetë i shoqëruar nga një anëtar  që ndajnë shtëpinë e njëjtë.

Për të ruajtur funksionimin veprimtaritë e ekonomisë, ministri Vitia shtoi se janë pajtuar të ketë përjashtime për mundësimin e qarkullimit të lirë për operatorët ekonomikë dhe institucioneve të parapara me këtë aneks, i cili do të bëhet i ditur nesër.

“Për të ruajtur funksionimin veprimtaritë e ekonomisë jemi pajtuar t’i bëjmë disa përjashtime. Me dokumentin nga ATK dhe konfirmimin nga ATK mundësohet qarkullim i lirë për operatorët ekonomikë dhe institucioneve të parapara në aneksin një të këtij vendimi. Të gjitha këto anekse do të bëhen publike dhe do të njoftohen ata operator që u lejohet një gjë e tillë. Transporti i lirë i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar zinxhirin e furnizimit nga lënda e parë në prodhim, përpunim , shërbim e deri te transporti i produkteve dhe shitja te konsumatori i fundit. Në listë do të jetë edhe një aneks tjetër që do të bëhet nesër publike”, u shpreh ministri Vitia.

Ministri Vitia tha se do të kenë përjashtime nga lista edhe për personat fizikë që lejohen të dalin në raste tjera urgjente, sikurse që janë vizitat mjekësore, apo për persona me aftësi të kufizuar.

“Me leje të veçantë të qarkullimit dhe vetëm për të kryer nevojat e institucioneve, lejohet qarkullimi për stafin esencial të institucioneve shtetërore në listën e institucioneve në listën e bashkëngjitur të aneksit dy të këtij vendimi. Në raste urgjente të shëndetësisë lejohet dalja nga shtëpia, banesa për të kërkuar trajtim mjekësor në një institucion shëndetësor. Lejohet qarkullimi në raste për persona fizikë kur është e domosdoshme për t’u kujdesur për persona të sëmurë apo persona me aftësi të kufizuar. Ndalimi i qarkullimit të personave fizikë jashtë shtëpive apo banesave të tyre nuk zbatohet gjatë dhunës së tyre familjare. Viktimave të dhunës familjare u lejohet të dalin nga shtëpitë apo banesat e tyre për të kërkuar strehim në një lokacion tjetër alternativ. Ndalohet rreptësishtë dalja nga shtëpitë apo banesat për çfarëdo lloj arsye tjetër përveç arsyeve të lartcekura, duke përfshirë këtu edhe takime shoqërore, vizita familjare dhe të tjera”, tha ai./21Media