Qeveria në detyrë e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhje korresponduese/elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka ndarë një milionë e 598 mijë euro për 6 mijë e 124 policë për periudhën tremujore, tetor, nëntor, dhjetor, për angazhimin e shtuar në kohën e pandemisë.

Sipas njoftimit të Qeverisë, është vendosur që këta policë të paguhen nga 100 euro në muaj, apo 300 euro në total për këtë tremujor.

“Në vazhdim është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve shtesë financiare sipas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme/Policia e Kosovës, për kompensimin e angazhimit të shuar në terren të zyrtarëve policorë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj pandemisë COVID-19. Sipas vendimit për zyrtarët aktiv policor do të ndahen mjetet financiare në vlerë prej 1 milion  e 598 mijë e 100 euro. Këto mjete shtesë ndahen për 6 mijë e 124 zyrtarë policorë, nga 100 euro në muaj për periudhën Tetor, Nëntor dhe Dhjetor. Realizimi i pagesës së këtyre shtesave do të bëhet me pagën e muajit dhjetor 2020, përmes Sistemit të Pagave”, thuhet në njoftimin e Qeverisë në detyrë./21Media