Që nga marsi, asnjë kandidat që ka aplikuar për marrjen e patent-shoferit nuk ka mundur të hyjë në provim teorik dhe praktik, për shkak të përhapjes së koronavirusit në Kosovë.

Mirëpo, që nga e hëna ata do të kenë mundësi që të përfundojnë procesin që kishin nisur më parë.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Ministria e Infrastrukturës, e cila njofton kandidatët dhe autoshkollat për rifillimin e punës së NJPSH-ve me kandidatë, duke filluar nga 20.07.2020, konform lehtësimit të masave në zbatimin strikt të rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së, si në vijim:

-Zbatimin e masave anti Covid-19 dhe udhëzimeve të përgjithshme të IKSHPK-së dhe MSH (Manuali),

-Sipas rekomandimeve, të gjitha njësitë do të bëjnë dezinfektimin e hapësirave të tyre (zyre dhe salla),

-Pranimi i aplikacioneve do të bëhet në respektim të distancës së mjaftueshme dhe masave mbrojtëse (maskës) sipas rekomandimeve të IKSHPK-së (paku 1.5m2),

-Kandidatët për t’iu nënshtruar provimit (teorik dhe praktik), obligohen që të jenë të pajisur me masa mbrojtëse (maska) sipas rekomandimeve të IKSHPK-së,

-Kandidatët gjatë pritjes për hyrje në provim dhe marrje të rezultatit, obligohen në respektimin strikt të distancës fizike sipas rekomandimeve të IKSHPK-së,

-Numri i kandidatëve në salla do të jetë në harmoni me zbatimin e rekomandimeve të IKSHPK-së për distancë fizike,

-Në hyrje të objekteve të NJPSH-ve dhe salla, do të vendosen mbishkrimet për respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit.

-Komunikimi i rezultatit të provimit teorik do të bëhet jashtë sallës (deri sa bëhet dezinfektimi i ambientit për terminin tjetër).