Shkup: Nga e mërkura orë policore! Pritet vendimi i Qeverisë!

 

Komisioni për sëmundje infektive rekomandon orë policore në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, nga ora 22:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit. Kjo masë shtrënguese vjen si rezultat i rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19. Ndonëse, ministri i Shëndetësisë, Venko Filip­çe në pyetjet e gazetarëve tha se nuk është paraparë një masë e këtillë, ai sot dha lajmin për orën policore, duke shtuar se qytetarët nuk po u përmbahen masave mbrojtëse aktuale.

Fjalën e fundit mbi këtë propozim e ka Qeveria, e cila nesër duhet të vendosë nëse do ta kufizojë lëvizjen e qytetarëve për shtatë orë. Nëse Qeveria thotë po, nga e mërkura masa pritet të hyjë në fuqi.

“Sulmi i rritjes së numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim nëpër spitale nuk është sikurse në nëntor, ka dallim në rritjen e incidencës dhe tani është vështirë të themi a do të vazhdojë ky trend apo do të arrihet në një pikë. Nuk e dimë vala a do të jetë e njëjtë sikurse në muajin nëntor. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të gatshëm dhe në këtë aspekt rekomandimi i Komisionit për sëmundje infektive është që të ketë kufizim të lëvizjes pas orës 22, sepse vlerësojnë se ka grupim të qytetarëve pas mbylljes së kafeneve, pa respektimin e rekomandimeve  edhe nëpër hapësira publike”, tha Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Ndërkaq, zv/ministri i Shëndetësisë, Ilir Asani tha se edhe vetë ai si mjek e ka vërejtur presionin e numrit të madh të pacientëve që kërkojnë të shtrihen nëpër spitale.

“Unë po them se ditëve të fundit kam një valë të madhe të intervenimeve dhe kërkesave të njerëzve që duan të shtrihen nëpër spitale, por në të njëjtën kohë që duan të transferohen prej spitalit të Kumanovës në spitalin e Shkupit për trajtim të mëtejshëm, kështu që është vetëm se signifikante se numri ka trend rritës agresiv i mbushjes së spitaleve”, u shpreh zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani.

Propozimi për kthimin e orës policore erdhi si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19. Ministri Filipçe bëri të ditur se ora policore do të zgjasë dy javët në vazhdim dhe me këtë pritet të zvogëlohet presioni ndaj spitaleve. Ora policore do të jetë njësoj edhe gjatë vikendeve, raporton TV21./21Media

Back to top button