Nga korriku mbi 70 fëmijë u trajtuan nga COVID-19
28 Dhjetor 2020
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi sot vizitoi fëmijët në repartin COVID të Klinikes Pediatrike të QKUK.
Ai informoi se në këtë repart gjithsej 73 fëmijë u trajtuan që nga muaji korrik.
“Pandemia COVID-19, nuk kurseu as fëmijët tanë. Si në mbarë botën ashtu edhe në Kosovë një numer i fëmijëve u prek nga virusi SARS-COV2. Fatmirësisht, ky infeksion te fëmijët, me perjashtime të rralla, nuk paraqitet në forma të rënda. Në repartin COVID të Klinikes Pediatrike të QKUK gjithsejt 73 fëmijë u trajtuan që nga muaji Korrik kur u hap ky repart Sot, vizitova 3 fëmijët që aktualisht po trajtohen ne këtë repart. Edhe pse kishin vendosur maskat, buzëqeshja fare lehtë vërehej në fytyrat e tyre.”, shkroi Krasniqi në facebook.
Ai shtoi se vendosja e maskave nga fëmijët le të shërbejë si mesazh për të gjithë ne që edhe gjatë festave të fundvititit të respektojmë masat anti-COVID.
“T’ua ruajmë buzëqeshjen fëmijëve tanë. Të ruajmë shëndetin e tyre dhe familjarëve e më të dashurve tanë.”, shkroi tutje Krasniqi.
Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë vdiqën 8 persona që ishin të prekur me Covid-19, u konfirmuan edhe 181 raste të reja, ndërsa u shëruan 407 persona nga Covid-19.
Numri total i rasteve pozitive është 50.801 raste nga 180.404 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.317 raste të vdekjes./21Media