Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës nga një muaj paraburgim kundër të pandehurve T.M. dhe A.O. për shkak se kanë kryer veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, përvetësimi në detyrë, falsifikim të dokumentit zyrtar, dhe kundër K.M. dhe D.Ç., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale falsifikim i dokumenteve dhe mashtrim.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se paraburgimi është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund të arratisen nga vendi ose të ndikojnë në dëshmitarë dhe të dëmtuar e në këtë mënyrë mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.