Lëvizja e lirë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut zgjati vetëm 10 ditë. Pasi më 26 maj u shfuqizua, dje në mbrëmje Qeveria përsëri solli vendim për orë policore. Vendimi i tillë vijon pas numrit të madh të rasteve të reja me korona virus. Sipas vendimit, nga sonte në orën 21 deri të hënën në orën 05 të mëngjesit, kufizohet lëvizja në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Likovë dhe Shtip.

Në gjithë qytetet tjera ndalohet lëvizja nga sonte në orën 21, deri në ora 5 të ditës së ardhshme. Të premten, të shtunën dhe të dielën, ndalesa fillon nga ora 16 dhe zgjat deri në orën 05 të ditës së ardhshme.

Ministri i shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, sot theksoi se këta masa janë vetëm për plotësimin e masave që tashmë po zbatohen.

“Vlerësoj se kjo seriozisht do të kontribuojë që të ulet rreziku nga shpërndarja e virusit dhe një pasqyre totalisht të ndryshme diku nga fundi i javës që vjen. Dëshiroj të dërgoj apel deri te institucionet kompetente që duhet të kontrollojnë dhe sanksionojnë dhe posaçërisht kjo të pasqyrohet në terren. Ne apeluam në takimin e përbashkët me MPB-në, posaçërisht duke pasur parasysh se rastet e reja të të infektuarve janë në kohë kur kishte masa restriktive, kur ka pasur ndalesë për mbledhje masive, kur ka pasur rekomandime për mbajtjen e maskave mbrojtëse, dhe asgjë nuk është respektuar. Do të insistoj për kontrolle të ashpra të këtyre masave restriktive”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Për koordinatorin nacional, Bujar Osmanin, jo serioziteti i qytetarëve është arsyeja kryesore për rritjen e numrit. Siç tha ai, më shumë u besohet lajmeve të rreme sesa personave mjekësor.

“Vlerësoj se problemi më i madh është mosrespektimi i masave e asgjë tjetër nga ajo që përmendet në opinion. Problemi më i madh për momentin është ajo që po dominojnë lajmet e rreme që për fat të keq kanë arritur të mbulojnë faktet që i thonë institucionet. Sot kemi situatë kur na lajmërohen kushërinj të intervenojnë në Klinikën infektive që të mos i vendosin prindërit në respirator për shkak se besojnë se nëse shkojnë në Klinikën infektive, nuk do të dalin të gjallë. Andaj i fshehin simptomat dhe 33% nga të hospitalizuarit arrijnë vonë pas 8 – 9 ditëve mjekim në kushte shtëpiake, për shkak se dikush ka shpërndarë informacion të rremë se në Klinikën infektive mbyten pacientë”, tha Bujar Osmani, koordinator nacional.

TV21 sot ishte në terren ku i pyeti qytetarët çka mendojnë për orën policore. Një pjesë e tyre janë të revoltuar për shkak të vendimit të tillë, ndërsa të tjerët thonë se duke pasur parasysh mosrespektimin e masave, vendimi i tillë ka qenë i pritur.

Qytetarët:

-Nuk kam koment, jam shumë e nevrikosur. Tani, qytetarë të pafajshëm për shkak të disave që nuk i respektojnë masat duhet të qëndrojmë në shtëpi.

-Nuk jemi shtet i cili di dhe mund të zgjidh këtë problem. Ky nuk është problem i madh. Por ne jemi kokëfortë. Kujt t’i thuash, pushtetit, opozitës apo ndonjë pale të tretë. E shihni që unë mbaj maskë, i bëj të mbajnë të gjithë ata që nuk dinë dhe nuk duan, që mbajnë inate. Kujt i mbajnë inate? Ja tani le të qëndrojnë në shtëpi.

-Duhet ora policore. Të gjithë do të infektohemi, nuk e dimë kush nga kush të ruhet. Ne jemi fajtor. Na vjen vështirë të vendosim maskat në fytyrë.

-Kjo ishte e pritshme. Faji është i të gjithëve, edhe i qytetarëve edhe i Qeverisë. Nuk mund të ketë vetëm në disa prej qyteteve. Nëse tash më po zbatohet, duhet të zbatohet në nivel të gjithë vendit. Tashmë filloi të na mbarojë durimi, për shkak se për disa klasterë, po vuajnë gjithë qytetarët.

-Ju duhet të keni strategji. Nuk mund të jemi më të mençurit, ndërsa jemi në vendin e fundit në Ballkan. Nevojiten ushtarë dhe gjeneralë të mirë, që do të mendojnë me urtësi, të planifikojnë dhe të ndërmarrin masa. E jo të shohin interesat e tyre, ndërsa të mos brengosen fare për qytetarët. Ata që nuk i respektojnë masat duhet të dënohen në mënyrë rigoroze, të mbushen me mend, të mbyllen.

Në 24 orët e fundit, janë regjistruar 120 raste të reja me Covid-19. Ky është piku më i lartë që nga fillimi i epidemisë në Maqedoni të Veriut. Deri më tani, piku më i lartë ishte 107 persona të infektuar, të evidentuar për 24 orë. Numri më i lartë i rasteve është në Shkup 67. Në Kumanovë ka 19 raste të reja, Shtip 16, Prilep 4, Tetovë 9, Veles 2, Gostivar, Negotino dhe Strumica nga një rast./TV21