5 udhëzime administrative të cilat rregullojnë aspekte të veçanta të procesit të trajtimit të ndërtimeve pa leje

5 udhëzime administrative të cilat rregullojnë aspekte të veçanta të procesit të trajtimit të ndërtimeve pa leje

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi së bashku me sekretarin, Arben Çitaku dhe drejtorin e Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu kanë mbajtur konferencë për media ku kanë shpalosur Udhëzimet Administrative që dalin nga Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Me këtë rast, ministri Matoshi tha se Ministria e Mjedisit ka hartuar 5 udhëzime administrative të cilat rregullojnë aspekte të veçanta të procesit të trajtimit të ndërtimeve pa leje në vendin tonë.

“Pra nga sot fillon edhe zbatimi i ligjit për trajtimin e 352 mijë ndërtime pa leje, ku pjesë më e madhe e tyre bënë pjesë në kategoritë 1 dhe 2 , e për të cilat përgjegjëse është niveli lokal, kurse për kategorinë 3 përgjegjës për procesin e trajtimit të ndërtimeve pa leje është MMPH-ja”, deklaroi ministri Matoshi.

Matoshi tha se me fuqizimin e këtyre Udhëzimeve Administrative është kompletuar në tërësi infrastruktura ligjore e për zbatimin e Ligjit nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

“Pra me zbatimin e këtij Ligj dhe Udhëzimeve Administrative  do të kemi një numër dukshëm me te madh të objekteve të legalizuara gjithandej territorit të Kosovës”, tha ministri Matoshi.

Matoshi tregoi se me këto udhëzime do të ketë taksa më të lira, ku për kategorinë e parë do të jetë 1 euro për metër katrorë ndërsa për kategorinë e dytë do të jetë taksa 2 euro për metër katrorë.

Pas hyrjes në fuqi të këtyre udhëzimeve, ministri Matoshi tha se do të ketë takime me kryetarët e komunave dhe drejtorive përkatëse si dhe do të ketë një fushatë informuese për qytetarët e Kosovës për këtë proces.

Matoshi falënderoi donatoret ndërkombëtar: USAID, GIZ, UN-HABITAT, OSBE dhe gjithë donatorët tjerë për përkrahjen dhe kontributin e tyre dhënë në fushën e ndërtimit dhe planifikimit hapësinor.

Ndërsa drejtori i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, Servet Spahiu ka prezantuar detajet e këtyre Udhëzimeve që sipas tij e plotësojnë infrastrukturën ligjore për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

Ai tregoi për gjendjen e ndërtimeve pa leje që janë regjistruar në Regjistrin Nacional ku në total sipas tij janë mbi 350 mijë ndërtime pa leje.

“Si informatë është një skemë që e kemi të ndërtimeve deri me ligjin e vjetër, ku janë 352 mijë 836 ndërtime pa leje në regjistrat që i kemi. Prej tyre janë 8 mijë e 461 qe kanë aplikuar, ku vetëm 2 mijë certifikata të legalizimit janë lëshuar dhe shumica janë në Komunën e Prishtinës”, tregoi Spahiu.

Udhëzimet Administrative që janë nënshkruar nga ministri Matoshi dhe që sot kanë hyrë në fuqi janë: Udhëzimi Administrativ për përmbajtjen dhe kërkesat për Bazën e të Dhënave të Legalizimit të ndërtimeve pa leje; Udhëzimi Administrativ kërkesat themelore për shëndet dhe siguri, procedurat dhe dokumentacionin për trajtimin e ndërtimeve pa leje të kategorisë I dhe II; Udhëzimi Administrativ për  kërkesat themelore për shëndet dhe siguri, procedurat dhe dokumentacionin për trajtimin e ndërtimeve pa leje të kategorisë III;  Udhëzimi Administrativ për procedurat dhe kërkesat për rrënim të ndërtimeve pa leje dhe Udhëzimi Administrativ për  procedurat e ankesave kundër vendimeve për trajtimin e ndërtimeve pa leje.​

Procesi i legalizimit sipas ligjit të aprovuar më 2013 dështoi për shkak të mos interesimit të qytetarëve për të aplikuar. Vetëm 8493 veta aplikuan për legalizim në tërë Kosovën, nga numri i përgjithshëm 352.836 vetave sa janë paraqitur për regjistrimin e objekteve pa leje./21Media