Nga sot nis ekzekutimi i 170 eurove të Pakos Emergjente për muajt të cilët nuk janë paguar.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ditë më parë ka bërë të ditur se nga sot do të nisë ekzekutimi i mjeteve të parapara me Pakon Emergjente.

Bajrami në një postim në Facebook ka njoftuar se do të ekzekutohen të gjitha mjetet, teksa ka kërkuar falje që ka pasur vonesa pasi siç tha ajo ka qenë e pamundur të kryhen pagesat pa rishikim të buxhetit.

“Në Ministrinë e Financave po punohet pa orar. Thesari dhe Departamenti i Buxhetit po bëjnë të gjitha përgatitjet që nga e hëna të fillojnë ekzekutimin e pagesave nga Pakoja Emergjente për qytetarët dhe bizneset. Javën që po vjen do t’i ekzekutojmë të gjitha mjetet për muajt e papaguar bazuar në Pakon Emergjente. Ju kërkojmë falje qytetarëve dhe bizneseve për vonesat pasi ishte pamundshme të kryheshin pagesat pa u rishikuar buxheti”, ka shkruar Bajrami. /21Media