Qytetarët e Kosovës tash e tutje do të mund t’i raportojnë rastet pa shkuar në stacionet policore falë aplikacionit të ri “Lajmëro policinë”.

Me rastin e lansimit të këtij aplikacioni, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se kjo platformë elektronike do të jetë një lehtësim i madh për qytetarët, të cilët mund të raportojnë rastet e ndryshme.

Në një konferencë për media, ai tha se raportimi përmes kësaj platforme do të jetë shumë më konfidencial dhe se pret një bashkëpunim më të madh nga qytetarët.

Shumë qytetarë që hezitojnë të paraqesin rastet, për shkak të procedurave dhe që nganjëherë ata tentojnë të mos paraqesin fare rastin, për faktin që nuk dëshirojnë t’i përmendet emri. Ky aplikacion është shumë i rëndësishëm edhe për efikasitetin e policisë pasi policët tanë do të jenë shumë më të shpejt në përgjigjen e rastit dhe do të kemi komunikim më të mirë me qytetarin”, tha Qalaj.

Ndërsa, kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, deklaroi se në këtë aplikacion mund të kenë qasje të gjithë qytetarët.

Mendoj se secili nga ne në situatën ku kemi parë gjëra nëpër rrugë për të cilat ne do të dëshironim t’i raportonim, por nuk e dinim si. Ne kemi tani këtë aplikacion informues në celular. Ai ofron qasje në celular për raportimin e krimeve, për raportimin e dhunës, çështje të sigurisë në komunikacion dhe gjëra të tjera. Madje, lejon që publiku të paraqesë këshilla anonime për policinë e Kosovës, e gjithë kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për hetimin dhe parandalimin e krimit”, tha ai.

Ndryshe, projekti është lansuar me mbështetjen e misionit të OSBE-së.