Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka shprehur keqardhje për ngjarjen që tronditi sot qytetin gjerman Trier, ku një makinë teksa po lëvizte me shpejtësi të madhe, goditi disa këmbësorë, duke shkaktuar disa viktima dhe të lënduar.

Shefja e diplomacisë kosovare, në reagimin e saj, mes tjerash tha:

“Tronditëse pamjet në qytetin Trier të Gjermanisë, të shkaktuara nga makina që goditi këmbësorët. Kosova po ndjek me shumë shqetësim ngjarjet në Gjermani duke ndarë dhimbjen me familjet e prekura dhe duke shpresuar të mos shtohet numri i viktimave”.

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Frankfurt ka kontaktuar me autoritetet policore në Trier dhe deri në këtë çast nuk ka informata për ndonjë qytetar të Kosovës të lënduar.

Një makinë ka hyrë në një zone këmbësorësh në qytetin perëndimor të Trier në Gjermani, duke mbytur katër persona, përfshirë një foshnjë nëntë muajshe./21Media