Një i ri që mbante një banderolë ku shkruhej “Lironi Hong Kong” ndërsa ngiste një motor në drejtim të policisë gjatë një proteste të mërkurën është tashmë personi i parë i akuzuar për nxitje të separatizmit dhe terrorizmit sipas ligjit të ri të sigurisë.

Policia tha se 23-vjeçari Tong Ying-kit goditi dhe plagosi disa oficerë gjatë një proteste të paligjshme të mërkurën. Një video në internet tregonte një motoçikletë që përplasej me disa oficerë në një rrugë të ngushtë përpara se drejtuesi i saj të rrëzohej e të arrestohej. Zoti Tong, i cili u shtrua në spital pas incidentit, u akuzua në më pak se 24 orë. Autoritetet e Hong Kongut thanë se banderola me sloganin “Lironi Hong Kongun, revolucioni i kohërave tona”, që mbante i akuzuari, nënkupton ndarjen ose përpjekjet për përmbysje sipas ligjit të ri.

Pekini e miratoi ligjin në fillim të kësaj jave, pavarësisht protestave të banorëve të qytetit dhe kritikave të vendeve perëndimore, duke e futur Hong Kongun, një qendër të madhe financiare drejt rrugës së autoritarizmit.