Asnjë takim a tryezë për bisedime për koalicionet e mundshme për qeverinë e re në Maqedoni të Veriut. Socialdemokratët janë në pushim, e nuk janë në disponim për të folur për mediat për koalicione e qeveri, ani pse zgjedhjet i kërkonin sa më shpejt të jetë e mundur. Për formimin e qeverisë do të flasin pas 2 gushtit, kur të kthehen nga pushimet.

Integristët ndërkaq po bëhen gati për të biseduar fillimisht me partitë shqiptare, e më pas me LSDM-në ose VMRO-DPMNE-në.

“Tani për tani nuk ka takime. Presim të dalin rezultatet finale edhe me vendim nga gjykata administrative. Pas kësaj do të fillojmë me takime, fillimisht me partitë shqiptare, e më pas me ato maqedonase”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Në tryezën e pallatit të bardhë të VMRO-DPMNE-së janë hapur të gjitha hartat që mund t’i çojnë opozitarët drejt pushtetit. Dafina Stojanovska nga kjo parti thotë se tani për tani nuk ka komunikime mes partive, por po shqyrtohet çdo opsion për koalicion.

“Të gjitha opsionet dhe variantet janë të mundura dhe në tavolinë duke marrë parasysh faktin se VMRO-DPMNE si parti ka marrë më së shumti mandate në zgjedhje, gjithsesi lëmë që definitivisht procesi të përfundojë me vendimet e gjykatës administrative, t’i marrim numrat definitiv të mandateve, përndryshe të gjitha bisedimet  e mundshme me të gjitha partitë janë të tavolinë dhe të mundshme”, u shpreh Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE.

Sekretarin gjeneral të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravarin е kontaktuam por nuk na ktheu përgjigje. Ai për Sitelin ka dhënë qëndrim personal duke thënë se është mision i pamundur që ata dhe BDI-ja të jenë në të njëjtën qeveri.

“Nuk do të lejojmë që edhe një herë BDI të bëjë lojërat e saj. Do të përpiqemi në maksimum nëse mund të bëhen kombinime të tjera që të kemi qeveri në të cilën BDI nuk do të jetë pjesë”, theksoi Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga partia “E majta” me dy deputetë kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me LSDM-në, por nuk e kanë përjashtuar DPMNE-në. PDSH-ja me një deputet ende nuk ka treguar parapëlqim përfundimtar për koalicion./TV21