Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri, sot me Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havollin diskutoi për procesin e fillimit të hartimit të Strategjisë kundër korrupsionit për periudhën 2021-2025.

“Zëvendëskryeministri Tahiri, do të udhëheq dhe mbështet drejtimin strategjik për procesin e hartimit të strategjisë, si një nga prioritetet kryesore të punës së tij.”, bëri të ditur qeveria në komunikatë.

Zëvendëskryeministri theksoi nevojën që procesi i hartimit të kësaj strategjie të jetë gjithëpërfshirës, duke përfshirë institucionet qendrore dhe lokale, shoqërinë civile, mediat dhe ekspert vendorë dhe ndërkombëtarë.

Strategjia e re Kundër Korrupsionit do të mbështetet në katër shtylla: 1) Sektorit politik publik; 2) Administratës shtetërore (nivelit qendror dhe lokal); 3) Zbatimit ligjit dhe gjyqësorit; dhe 4) Menaxhimit të financave publike.

“Kjo qasje strategjike siguron trajtimin e sfidave në fushën e korrupsionit, të identifikuara përmes vlerësimit të rrezikut ndaj korrupsionit të zhvilluar për sektorë të caktuar, të cilat janë zhvilluar nga projektet mbështetëse në këtë fushë.”, bëri të ditur qeveria më tutje në komunikatë./21Media