Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Shqipëri ka bërë me dije se ka filluar procesi i restaurimit të filmit të parë shqiptar ”TANA”.

Ky produksion kinematografik është realizuar në vitin 1958 dhe premierën e kishte pasur po atë vit më datën 17 gusht. Skenari i këtij filmi mbanë autorësinë e Kristaq Dhamos dhe Nasho Jorgaqit. Rolin e protagonistes në këtë film e ka interpretuar aktorja e njohur Tinka Kurti.

Ky restaurim mundësohet nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë me laboratorët Cinegrell, Zyrih dhe PostFactory, Berlin.

Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptarë ka nisur para disa viteve ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira si: “Mimoza Llastica”, “Përrallë nga e kaluara”, “Nëntori i dytë”, “Skëndërbeu” etj.

Këto produksione po kalojnë në një proces të mirëfilltë digjitalizimi si në video ashtu edhe në audio për të qenë pasuri e veçantë në fondin e kinematografisë shqiptare.

Procesi pritet gjithashtu të vijojë edhe me restaurimin e titujve tjerë në të ardhmen.